Rritje e pagave për bluzat e bardha, mësuesit dhe administratën, plan për rritje domethënëse të pensioneve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ “Pagat e bluzave të bardha, mjekëve, infermierëve, mësuesve dhe edukatorëve përgjatë mandatit të tretë të kësaj mazhorance do të njohin një rritje prej 40 %, ndërsa për pjesën tjetër të administratës rritja do të jetë 30 %”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në Kuvend ku theksoi se, “duke nisur nga viti i ardhshëm qeveria do të dyfishojë pagat për solistët e jashtëzakonshëm të TKOB-it që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri”.

Kryeministri i cili prezantoi sot në Kuvend programin ekonomik për 4 vitet e ardhshme deklaroi se të gjitha rritjet e pagave të premtuara do të bëhen realitet siç janë premtuar.

“E konfirmoj përsëri sot, jo nga foltorja e fushatës, por e Kuvendit të Shqipërisë se kjo shumicë qeverisëse, përgjatë këtij mandati do të rrisë pagat e edukatorëve, mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40 % dhe pagat e administratës publike me 30 %. Do të rrisë pagën publike mesatare në administratë nga 72 mijë lekë në 85 mijë lekë në muaj”, deklaroi Rama.

Kryeministri informoi se pas një konsultimi në orët e fundit me grupin e programit ekonomik, paga e solistëve tanë të jashtëzakonshëm që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri do të dyfishohet.

“Pas një shfaqjeje kulmore mbrëmë të trupës së teatrit të TKOB-it, ku solistët dhanë një provë prekëse të vlerës së tyre të çmuar për prestigjin e kulturës sonë, duke shkëlqyer pa asnjë dallim krah dy yjeve të skenës botërore, si dhe pas konsultimit në orët e fundit me grupin e programit ekonomik, kemi vendosur që paga e solistëve tanë të jashtëzakonshëm që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri do të dyfishohet që nga viti i ardhshëm. Po ashtu, së shpejti, do të ketë një program stimulimi financiar në tërësi për atë trupë që është pa diskutim një nga përfaqësitë më evropiane e dinjitoze që ka kjo Republikë, të cilën do ta motivojmë sa më shumë që të kthehet në një ambasadore të Shqipërisë në botë”, tha Rama.

Kryeministri po ashtu informoi se po punohet mbi një plan për rritje domethënëse të pensioneve. Por, shtoi ai, zbatimi i tij do të varet tërësisht nga ecuria e reformave.

“Nuk kemi premtuar asgjë domethënëse për pensionistët në fushatë. Jo sepse nuk e dimë që ata e meritojnë të shpërblehen më shumë se të gjithë të tjerët madje. As sepse nuk e dëshirojmë me gjithë shpirt një rritje domethënëse të pensioneve përtej bonusit special që kemi vendosur në fund të vitit. Por nuk kemi mundur dot dhe nuk mundemi akoma dot ta hedhim atë hap. Sepse “honi” kërcënues i hapur prej shumë vitesh nga skema e vjetër e pensioneve dhe administrimi me papërgjegjshmëri kriminale i sigurimeve shoqërore, para se ne të ndërmerrnim reformën e pensioneve dhe të vinim në vijë deri në një farë pike administrimin e sigurimeve, megjithëse sot është ngushtuar duke u bërë i parrezikshëm për skemën e sigurimeve shoqërore, akoma nuk është mbyllur në pikën që ne të hedhim një hap para të guximshëm me rritje domethënëse të pensioneve”, u shpreh Rama.

“Megjithatë, – vijoi ai, – unë dua të them sot jo nga foltorja e fushatës, por e këtij Kuvendi, të gjithë gjyshërve e gjysheve se një plan, i varur nga ecuria e përgjithshme e reformave dhe ekonomisë, në gjysmën e parë të këtij mandati është në tryezën tonë dhe do të jetë pa diskutim dita më e bukur e jetës time publike politike të marr si shpërblim buzëqeshjen e tyre të bekuar, duke e vënë në veprim planin për një rritje domethënëse të pensioneve”.

Sot, theksoi Kryeministri, do të jap vetëm fjalën se do ta mbaj çdo ditë në vëmendje marrjen e atij shpërblimi të shenjtë.

“Dhe lus Zotin që t’ia dalim ta bëjmë realitet. Ju lutem mos e quani premtim, por vetëm një angazhim solemn në këtë Kuvend, për të bërë gjithçka është e mundur për këtë premtim. Nuk kisha pse i hapja punë vetes me një gjë kaq të madhe, nëse nuk do të besoja se kjo është diçka për të cilën ja vlen të bëjmë maksimumin”, deklaroi Kryeministri. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.