TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.
Në datat 7-9 shtator 2021, Prezenca trajnoi shtatë gazetarë dhe redaktorë të mirënjohur të RTSH-së, të cilët do të jenë trajnuesit e ardhshëm të kësaj qendre trajnimesh. Kjo veprimtari u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Trajnimit të Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU).
Ky kurs trajnimi për trajnuesit u konceptua dhe realizua nga menaxheri i trajnimeve të EBU-së, Frederic Frantz. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit përfituan aftësi mësimdhënëse dhe metoda për përcjelljen e njohurive të reja, të cilat do t’i bëjnë ata të aftë që të zhvillojnë trajnime të suksesshme me punonjësit e RTSH-së në përgjithësi dhe gazetarët e rinj të transmetuesit publik në veçanti.
Më 10 shtator, Prezenca mundësoi organizimin e një tryeze diskutimi me drejtuesit e lartë të RTSH-së për zhvillimin e një strategjie trajnimesh dhe planin e trajnimit për dy vitet e ardhshme.
Strategjia në fjalë do t’i hapë udhë ngritjes së një Akademie Trajnimesh funksionale dhe efikase për RTSH-në. Prezenca e ka pajisur transmetuesin publik me pajisje teknike, si për shembull kamera, programe montazhi, sete ndriçimi, mikrofona dhe tripodë që do të përdoren për përgatitjen e programeve të reja dhe qëllime trajnimi.
Asistenca e ofruar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri është pjesë e programit dyvjeçar të rritjes së kapaciteteve profesionale për RTSH-në, organizuar në bashkëpunim të ngushtë me EBU-në në kuadër të projektit “Media në Fokus”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Ky projekt ka si qëllim kryesor fuqizimin e RTSH-së përmes rritjes së kapaciteteve të gazetarëve dhe ndihmës për prodhimin e programeve kryesore të reja.
/j.p/r.e/























