TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Lagjja e re qendrore e qytetit të Laçit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë, po shkon drejt përfundimit.
Për të parë se çfarë është realizuar deri tani, ishte sot në këtë kantier Kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj së bashku me kryetaren e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.
Kryeministri Edi Rama tha se puna kolosale për rilindjen e qytetit pas tragjedisë shkatërrimtare të tërmetit, tanimë flet vetë, pa nevojë për koment.
“Ashtu siç është komunikuar dhe me kompaninë turke, në fund të shtatorit do të ketë përfunduar i gjithë kantieri. Paralelisht kanë filluar edhe punimet e shkollës që po bëhet në këtë zonë. Po ashtu po punohet edhe me banesat individuale”, – tha kryebashkiakja Cara.
Cara po ashtu informoi se brenda muajit shtator do të nisë edhe puna për përforcimin strukturor të 36 pallateve të dëmtuara në nivel DS4.
Kryebashkiakja tha se kanë përfunduar edhe punimet nëntokësore për kanalin e madh që do të sistemojë përroin famëkeq të dikurshëm që përmbytte qytetin, dhe tashmë po punohet në infrastrukturën mbitokësore.
Cara tha se lagjja e re do të ketë furnizim pa ndërprerje me ujë për qytetarët, pasi është bërë edhe lidhja me ujësjellësin e ri.
Ndërsa sa i përket procesit të ndarjes së apartamenteve, ministri për Rindërtimin, Ahmetaj shpjegoi se do të bëhet me short, duke proceduar sipas ligjeve përkatëse me prioritet familjet në kategori të caktuara.
“Kemi procesin e shortimit të ndarjes së apartamenteve për familjet. Do ecim në bazë të ligjit me familjet me prioritet, që janë familjet me ndihmë ekonomike, pastaj rreshtimi sipas ligjit, i familjeve me nëna kryefamiljare, familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. Pastaj do të ketë shortim publik për ndarjen e apartamenteve,” – u shpreh Ahmetaj.
Banesat dhe blloqet e reja që po ndërtohen do të jenë të lidhura me ujësjellësin e ri, i cili do të sigurojë ujë 24 orë pa ndërprerje për banorët. Ndërkohë, bashkë me lagjen kanë filluar punimet edhe për shkollën që i shtohet kësaj lagjeje, ku fëmijët do të kenë mundësinë të përdorin edhe ambientet komunitare të lagjes së re.
/j.p/r.e/






















