TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Në tremujorin e dytë të vitit 2021 kostoja e prodhimit u rrit pasi çmimet e produkteve të prodhimit shënuan rritje me 1,6 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2020.
Referuar raportit të publikuar sot nga INSTAT, çmimet e prodhimeve shënuan rritje me 0,3 % edhe krahasuar me tremujorin e parë 2021.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,4 % vërehet në industrinë nxjerrëse, pasuar nga grupi “energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 1,5 %, “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,5 %.
Çmimet e prodhimit në grupin e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 0,1 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin e përpunimit të koksit dhe rafinerisë së nënprodukteve të naftës” me 4,5 %.
Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin e “prodhimit të letrës dhe produkteve prej letre” me 2,3 %.
Edhe çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas shënuan rritje me 1,4 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në industrinë nxjerrëse me 10,2 %, pasuar nga industria përpunuese me 0,8 %.
Ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve për eksport shënuan rritje prej 4 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 26,4 % është shënuar në industrinë nxjerrëse. Nga ana tjetër industria përpunuese shënoi një ulje me 1,1 %.
/r.e/






















