DOHA, 2 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha sot se Britania e Madhe nuk do ta njohë qeverinë talebane në një “të ardhme të parashikueshme”, gjatë një vizite diplomatike në Katar për të siguruar kalimin e sigurt të britanikëve dhe afganëve të lënë pas.
Në një konferencë shtypi në Doha, pas takimit me Emirin, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, Sekretari i Jashtëm britanik vuri në dukje se kërkohet një “angazhim i drejtpërdrejtë” me talebanët.
“Realiteti është se ne nuk do t’i njohim talebanët tani për tani, në një të ardhme të parashikueshme, por mendoj se ekziston një hapësirë e rëndësishme për angazhim dhe dialog”, tha Raab.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha se ai “ka shpresë se aeroporti i Kabulit do të rihapet së shpejti”, me Katarin që shihet si shtet kyç për përparim, pasi ai ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me talebanët.
Rihapja e aeroportit ndërkombëtar “Hamid Karzai” do të lejojë një shkallë më të madhe evakuimesh nga Afganistani./ /ervo/













