Ballina Bota

TURQI – 44 viktima nga përmbytjet

ANKARA, 14 gusht /ATSH-AA/ – Numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi të Turqisë është rritur në 44, thanë autoritetet.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur goditën rajonin e Detit të Zi në veri të vendit të mërkurën, duke lënë 38 persona të vdekur në provincën e Kastamonu, tha në një deklaratë Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Po ashtu, gjashtë të tjerë vdiqën në provincën Sinop, ndërsa përpjekjet e kërkimit janë duke vazhduar për një individ në provincën Bartın.

”Operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë në zonat e goditura nga përmbytjet”, shtohet në deklaratë.

Deri më tani 341 persona janë evakuuar në Bartın, 1 380 në Kastamonu dhe 526 në provincën Sinop.

Dje, presidenti Recep Tayyip Erdogan vizitoi Bozkurtin, në Kastamonu, zona më e goditur nga përmbytjet.

”Ne do të bëjmë çmos si shtet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë se do të ngrihemi përsëri në këmbë”, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, Erdogan njoftoi se vendet e prekura janë shpallur zonë të fatkeqësisë natyrore./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEksportet e perimeve shënuan rritje me 5.5%
Artikulli tjetërFOKUS – Zjarret nuk ndalen në Itali, viktima, dëme dhe arrestime