Ballina Flash

OBSH teston tre ilaçe shtesë kundër COVID-19

GJENEVË, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar fillimin në mbarë botën të provave të reja klinike për matjen e efikasitetit të tre trajtimeve shtesë kundër COVID-19: artesunatit, imatinibit dhe infliksimabit.

“Jemi të lumtur të njoftojmë fazën tjetër të Provës së Solidaritetit, i quajtur Solidarity PLUS, që do të testojë tre ilaçe: artesunatin, një trajtim për malarjen në formën e saj të rëndë; imatinibin, një ilaç kundër kancereve të caktuara; infliksimabin, një trajtim për çrregullimet e sistemit imunitar”, tha në një konferencë shtypi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shpjegoi se ilaçet u zgjodhën nga një grup ekspertësh të pavarur dhe tregoi se provat do të kryhen në më shumë se 600 spitale në 52 vende.

Duke nisur prova të reja klinike për të testuar ilaçet, OBSH shpreson të gjejë mjete shtesë për të zvogëluar, në veçanti, vdekshmërinë e lidhur me COVID-19, si edhe kohëzgjatjen e shtrimit në spital.

Rezultatet e përkohshme, të publikuara në tetor 2020, tregojnë se katër trajtimet e vlerësuara në gati 13 000 pacientë (remdesivir, hidroksilklorinë, lopinavir dhe interferon) “kishin pak ose aspak efekt në vdekshmërinë e përgjithshme, fillimin e ventilimit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në spital te pacientët në spital”, sipas OBSH-së.

Rezultatet përfundimtare pritet të dalin në shtator./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19/ Asnjë humbje jete, 274 raste të reja në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërMADRID – Spanja dhe Portugalia në rrezik të lartë për zjarre