TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh sot se Ministria e Drejtësisë hap raundin e dytë të aplikimeve për pjesëmarrje në Tryezën e Diskutimit dhe Këshillimit për Kapitullin 23, si pjesë e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian.
“Ministria e Drejtësisë është i pari institucion i administratës publike që ka ngritur Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian prej shkurtit 2020 me përfaqësues të shoqërisë civile dhe botës akademike”, theksoi Gjonaj.
Ministria e Drejtësisë fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë aplikimin e tyre në adresën e e-mail-it: [email protected]
“Nëse jeni aktivistë të shoqërisë civile, akademikë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të komunitetit të biznesit, medies dhe grupeve të tjera të interesit, bashkojuni Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 23 dhe avancojmë bashkërisht përpjekjet për të çuar përpara agjendën e integrimit të Shqipërisë në BE”, thekson MD.

/r.e/






















