Ballina Flash

Miratohet restaurimi i “Odeonit” në Gjirokastër

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Odeonit në Qendrën Historike të qytetit të Gjirokastrës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se ky është një tjetër projekt restaurimi në Gjirokastër.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për rivitalizimin dhe restaurimin e plotë të hapësirave publike të Odeonit. Rëndësi të veçantë do t’i kushtohet konceptimit të një skene të re, me një strukturë edhe më funksionale. Këndi sportiv, i cili më vonë mori emrin “Odeon”, u ndërtua në vitin 1974 dhe ishte një nga mjediset sportive ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme lokale dhe kombëtare”, thekson Margariti.

I pozicionuar në lagjen “Partizani” në qytetin e Gjirokastrës, Odeoni ka një kapacitet të shkallareve prej rreth 1200 vende. Falë projektit të ndërmarrë, synohet rikthimi i vëmendjes dhe aktiviteteve në një monument me pozicion mjaft strategjik në qytet.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDepozitat e biznesit përbëjnë rreth 17.5 % të totalit të kursimeve
Artikulli tjetërSHBA – DASH: Irani të rikthehet shpejt në negociatat bërthamore