Stane e hektarë të djegur në “Bjeshkët e Nemuna”

PRISHTINË, 5 gusht/ATSH/- Si pasojë e erërave të forta, janë përhapur vatra të zjarrit në disa pjesë të fshatit Shtupeq i Madh të Rugovës.

Qindra hektarë janë përfshirë nga zjarri që ditën e sotme ka marrë përmasa më të mëdha.

Në vatrën e përfshirë nga zjarri po ndërhyjnë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po sigurojnë banorët në këtë zonë dhe po përpiqen të evitojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërkohë ka pasur edhe intervenim nga KFOR-i përmes helikopterëve.

Zjarri që ka kapluar Shtupeqin e Madh tash e disa ditë kishte arritur të lokalizohet nga intervenimi i institucioneve por ka shpërthyer prapë dhe ka marrë përmasa më të mëdha sot si pasojë e erërave të forta.

Drejtori i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina thotë se banorët nuk janë të rrezikuar dhe se ka ndërhyrje në lokacionet ku vlerësohet rreziku.

“Tashmë është përhap zjarri edhe në lokalitete të tjera, ky zjarr është pothuajse që 10 dite u shfaqur ndërsa ne jemi mundur ta lokalizojmë por era e madhe e cila po mbizotëron ditët e fundit është kah e shpërndan me të madhe[…]Banorët nuk janë të rrezikuar, tri shtëpi të cilat janë më afër vatrave të zjarrit janë evakuuar ndërsa pjesë të tjera banorëve janë më larg zjarrit”, thotë Morina.

Toger Drin Merturi nga Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se janë në vazhdimësi duke e përcjellë situatën dhe në rast rreziku do të evakuojnë edhe banorët e tjerë në këtë zonë.

“Ka familje të cilat janë evakuuar, në momentin e parë e shohim rrezik njerëzish ose dëmtim prone atëherë ne intervenojmë dhe e bëjmë evakuimin e gjithë civilëve që gjendjen në zonën ku janë duke u përhapur vatrat e zjarrit[…]Dita e sotme ka qenë në gjendje më të rëndë për shkak të erërave, ditët e para kemi pas intervenime dhe kemi pasur më pak vatra të zjarrit, kemi pas komunikim edhe me KFOR-in të cilët na kanë ndihmuar, ekipet tona dhe pjesëtarët të cilët e kanë bërë shuarjen e vatrave të zjarrit kanë pasur komunikim duke i dërguar koordinatat dhe KFOR-i me anë të helikopterëve ka ndihmuar me u shu zjarri”, thotë ai.

Banorët në këtë zonë ndër të tjera frikësohen se zjarri do të përfshijë pronat e tyre, sipas të cilëve, rreziku vazhdon të jetë i madh me gjithë intervenimi e institucioneve.

Banori Remzi Nikqi për KosovaPress tregoi se janë 100 hektarë tokë që janë përfshi nga zjarri dhe një stan është djegur i tëri.

Ata po përpiqen të ndihmojnë autoritetet në lokalizimi dhe fikjen e zjarrit derisa familjet i kanë evakuuar, thotë Muhamet Nikqi.

“Gjendja është shumë e rëndë siç po e shihni edhe vet, zjarri është përballë vendbanimeve, përpjekje janë duke u bërë çmos që mos me lënë me u kall por erërat e mëdha po e bëjnë[…]Kemi qenë të evakuum, vetëm ne banorët që jemi këtu po bëjmë çmos me FSK-në, policinë, zjarrfikësat, duke bërë përpjekje mos me u dhez më shumë”, thotë ai.

Ditët e fundit është përhapur zjarr në disa komuna të Kosovës, përveç në Rugovë edhe në Suharekë e Prizren. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.