Tkurret tregu i titujve të Qeverisë në gjysmën e parë të vitit

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Tregu i letrave me vlerë të Qeverisë shënoi rënie përgjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), shitjet nga portofoli i ndërmjetësit financiar ranë, nga 1.7 miliardë lekë që ishin në gjysmën e parë të vitit 2020, në 1.4 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të 2021-shit.

Vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021, u dominua në masën 64.84 % nga transaksione në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 35.16 % nga transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione).

Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 82.57 % e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021, flasin për një dominim të transaksioneve “blerje në tregun primar” dhe “shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 51.68 % dhe 34.42 % kundrejt vëllimit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për periudhën janar-qershor 2021 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.95 % të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Transaksioni i llojit “shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-qershor 2021, ka pasur një ulje prej 301 milionë lekë ose 17.19 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe numri i këtyre transaksioneve është ulur në masën 20.93 %.

Transaksioni i llojit “blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-qershor 2021, ka pasur një ulje prej 364 milionë lekë ose 26.32 %, gjithashtu pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 7.30 %, krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.