Denaj: 881 aplikime kombëtare për markë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Regjistrimi i markës e bën produktin “Made in Albania“ jo vetëm të ketë vlerë në treg, por është gjithashtu një tregues i rritjes së ekonomisë dhe autenticitetit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se numri i aplikimeve për markë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale u rrit ndjeshëm gjatë 7 muajve të këtij viti.

Sipas saj, gjatë periudhës janar- korrik janë kryer 881 aplikime kombëtare për markë, nga të cilat 553 janë nga aplikantë shqiptarë.

Ndërkohë në të njëjtën periudhë të vitit 2020, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale u kryen 610 aplikime kombëtare për markë, 383 prej të cilave aplikime nga subjekte shqiptare.

Marka është një fjalë, simbol, vizatim, apo kombinim i disa fjalëve, i frazave, simboleve apo vizatimeve, që identifikojnë dhe dallojnë burimin e mallrave të një pale, nga ato të një pale tjetër.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.