Ballina Aktualitet

Rihapja e hetimeve për Mediun, SPAK ankimon vendimin e GJKKO

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka ankimuar sot vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e cila rrëzoi kërkesën për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.

Mediet raportojnë se SPAK ka dorëzuar sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ankimimin për vendimin e GJKKO-së duke kërkuar që të pranojë kërkesën për gjykimin e ish-ministrit, lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec ku u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave dhe u plagosën lehtë 109 të tjerë.

GJKKO më 27 korrik mori vendim për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për rihapje të hetimeve ndaj Mediut duke theksuar se “në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndjekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë”.

Pas këtij vendimi reagoi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, i cili deklaroi se “kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund, në respekt të procedurave ligjore”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Varianti Delta prek sërish Wuhanin
Artikulli tjetërDurrës, mbahet Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” deri më 10 gusht