Monitorimi në akset interurbane në Tiranë, 63 masa administrative, pezullohen 23 patenta

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet me radarë 24/7, për të parandaluar aksidentet rrugore.

Duke filluar me rrugën interurbane Tiranë-Elbasan e tashmë në arterien tjetër të Tiranës, në drejtim të Durrësit, në Kamzë dhe në Bulevardin e Ri në Kashar, duke monitoruar me radar qarkullimin e automjeteve, janë konstatuar dhjetëra drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, si në qendrat urbane, ashtu edhe në rrugët interurbane.
Gjatë monitorimit prej 16 orësh janë pezulluar 23 leje drejtimi, për shpejtësi që varionin gati mbi dyfishin e lejuar, në qendrat urbane dhe në rrugët interurbane. Pezullimi ka variuar nga 1 muaj deri në 18 muaj për disa prej tyre, ndërsa masa administrative nga 10.000 lekë deri në 40.000 lekë të rinj.
Po gjatë monitorimit janë vendosur 63 masa administrative për shpejtësi mbi normat e lejuara, pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit, por vetëm me masë administrative deri në 60.000 lekë për secilin prej tyre.
“Mos fluturoni në rrugë se në rastin më të mirë do arrini radarin dhe policin rrugor dhe në rastin më të keq aksidentin. Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion”, shprehet Policia Rrugore.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.