Ballina Flash

Mbetjet në Fier, Baçi: Inceneratori që ka thithur rreth 26.5 milionë euro nuk është vënë në funksion

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Luan Baçi reagoi sot për situatën e djegies së mbeturinave në qytetin e Fierit

Me anë të një deklarate nga vendgrumbullimi i mbetjeve në Fier, Baçi tha se, “jemi këtu për të denoncuar përsëri këtë aferë korruptive do ta quaja që është nga afera korruptive në bashkëpunim me inceneratorin që ka thithur rreth 26.5 milionë euro dhe nuk është vënë akoma në funksion. Pavarësisht deklaratës së tyre që është bërë para disa ditësh edhe në media, mos gabofsha, që është gati që nga data 20 maj, 25 maj dhe ka pritur që të fillonte puna”, theksoi Baçi.

“Ndjesë për tymin që po thithni tani, është një fakt kuptimplotë në çfarë situate është qyteti i Fierit sot dhe në çfarë situate jemi dhe ne bashkë me ju që po bëjmë këtë. Pra, e njëjta situatë është në të gjithë qytetin e Fierit, e njëjta situatë është në çdo shtëpi dhe në çdo hyrje të Fierit. Banorëve të Fierit u ka mbërritur tymi dhe bloza deri në plazh, deri në anë të detit dhe është shpërndarë gjithandej”, tha Baçi.

“Jam këtu bashkë me kolegen dhe deputeten Eralda Tase për të sensibilizuar qytetarët fierakë, për të qenë ata që duhet të reagojnë dhe të reflektojnë të gjithë bashkë, madje do t’u propozoja që ne duhet t’i drejtohemi gjykatës për të patur dëmshpërblim nga bashkia për këtë dëm të shkaktuar shëndetit të qytetarëve fierakë. Do të jemi këtu në vazhdimësi deri sa të marrë drejtim, zgjidhje kjo punë. Absolutisht jemi të gatshëm për të ofruar ndihmën tonë me ato mundësi që ne kemi dhe aq sa kemi. Por çfarëdo lloj ndihme t’i ofrosh kësaj mazhorance, kësaj bashkie me kryetar të emëruar dhe me këshill bashkiak po të emëruar, nuk besojnë se do të jenë të gatshëm për të pranuar, pasi çdo gjë bie në vesh të shurdhër”, theksoi Baçi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Von der Leyen: Plan Marshall prej 500 miliardë eurosh për projektet e gjelbra në BE
Artikulli tjetërBarbullushi: Nisma “Ballkani i hapur” e ndërtuar mbi 4 liritë themelore të BE-së