Ballina Aktualitet

Shtyhet gjyqi i padisë së Bashës ndaj Veliajt

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Gjyqi i padisë së kreut të PD-së, Lulzim Basha ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për shpifje është shtyrë për në 24 shtator.

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, u mbajt sot seanca e parë e pajtimit ku Basha u paraqit së bashku me avokatin e tij, ndërsa Veliaj u përfaqësuar nga avokati i tij.

Duke qenë se Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencë për çështjen, Gjykata e Lartë caktoi Gjykatën e Posaçme si kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje.

Basha ngriti padi në tetor të 2020-ës për shpifje dhe dëmtim të imazhit të tij nga Veliaj.

Pas seancës Basha nuk pranoi të flasë për mediet, por përfaqësuesi i tij ligjor, Indrit Sefa, tha se ai ka refuzuar që të pajtohet me kryebashkiakun e Tiranës.

“Procesi gjyqësor ka të bëjë me kërkesën e zotit Basha në lidhje me kërkesën penale si viktimë akuzuese ndaj zotit Erion Veliaj në kuadër të kërkesave që kemi ngritur më përpara. U zhvillua seanca e parë, seanca e pajtimit, ku zoti Basha erdhi vetë personalisht dhe deklaroi se nuk ka asnjë vullnet për t’u pajtuar me të akuzuarin Erion Veliaj”, tha përfaqësuesi ligjor i Bashës.

Avokati sqaroi më tej se Veliaj nuk ishte i pranishëm vetë, por përfaqësohej nga avokati dhe se edhe ai kishte refuzuar pajtimin.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Qeveritë arabe të heshtura, ndërsa Tunizia po shkatërrohet nga trazirat politike
Artikulli tjetërNdërtoi pa leje në plazhin e Tales në Lezhë, arrestohet 41-vjeçari