Kosovë, miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2021

PRISHTINË, 28 korrik/ATSH/ Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 69 vota kanë miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Fillimisht deputetët miratuan disa nga amendamentet që kanë pasur mbështetjen nga komisionet funksionale, nga 35 syresh. Ndërsa u miratuan vetëm dy amendamente të propozuara nga partitë opozitare. Për këtë arsye, partitë opozitare nuk morën pjesë në vendimmarrje.

Ishte amendamenti i deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, i plotësuar dhe ndryshuar nga komisioni për Buxhet që fliste për nisjet e ndërtimit të një shkolle në fshatin Samadrexhë në Suharekë.

Megjithëse amendamenti i saj në tërësi nuk kaloi, deputetja opozitare tha se është e rëndësishme që punimet për vitin 2021 të fillojnë në këtë shkollë, ndërsa në vitin 2022 të alokohen mjetet tjera.

“Për mua ka rëndësi që ky projekt të fillojë dhe në kodin buxhetor për vitin 2021 të jetë i alokuar buxheti. Por shpresoj që në vitin e ardhshëm të ketë buxhet për këtë buxhet”, tha ajo.

Ndërsa, mazhoranca përkrahu edhe amendamentin e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu për ndërtimin e çerdhes për fëmijë në komunën e Skenderajt.

“Ndërtimi i çerdhes për fëmijë në komunën e Skenderajt në shumën e planifikuar prej 80 mijë eurosh për vitin 2021, të shtohet shuma prej 50 mijë eurosh”, tha ajo./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.