Arsimi profesional, punësim i menjëhershëm pas diplomimit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Projekte madhore si ndërtimi i aeroportit të Vlorës, apo hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë, ashtu si dhe investimet e mëdha në sektorin e hidrokarbureve kërkojnë punonjës të kualifikuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot se arsimi profesional u ofron të rinjve mundësinë e punësimit të menjëhershëm pas diplomimit.

Denaj solli në vëmendje avantazhet që ofron ndjekja e shkollës teknike elektrike “Gjergj Canco”.

“Shkolla teknike elektrike “Gjergj Canco”, në Tiranë duhet të jetë zgjedhja juaj për t’u integruar në tregun rajonal të punës. Ndjekja e arsimit ofron avantazhe të tilla si punësim të menjëhershëm pas diplomimit, apo bursa për kategori të ndryshme nxënësish”, tha Denaj.

Degët që studentët mund të ndjekin në këtë shkollë janë teknologji informacioni dhe komunikimi, rrjete të dhënash, zhvillim website, mbështetje e përdoruesve të TIK, elektroteknikë e integruar me elektroteknikën, instalime elektrike civile dhe industrial, riparim i pajisjeve elektroshtëpiake, instalime dhe mirëmbajtje e linjave të tensionit të ulët e të lartë, telekomunikacion dhe riparim i pajisjeve elektronike.

Përgjatë dy mandateve të para të qeverisjes socialiste është bërë e mundur rritja me 32 % e nxënësve që ndjekin arsimin profesional në 35 shkollat profesionale në vend. Gjithsej janë diplomuar mbi 100 mijë të rinj të aftë për tregun e punës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.