FOKUS – Tesla arsyeja e re e mosmarrëveshjeve serbo-kroate

BEOGRAD, 25 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka ndërhyrë në atë që duket se do të jetë grindja e re mes Serbisë dhe Kroacisë, dy republika të ish-Jugosllavisë, marrëdhëniet e të cilave mbeten të tensionuara dhe ende të kushtëzuara fuqimisht dhe negativisht nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe konflikti i armatosur i viteve 1991-1995.

Pak kohë më parë, autoritetet e Zagrebit, me synimin për një pranim të ardhshëm të vendit të tyre në zonën euro, njoftuan qëllimin e tyre për të vendosur në monedhën me vlerë 50 cent portretin e Nikola Tesles, shkencëtarit të famshëm, shpikësit dhe fizikanit të njohur nga ish-Jugosllavia.

Ky njoftim ngjalli kritika dhe qëndrime të menjëhershme në Serbi.

Nikola Tesla, emrin e të cilit ka aeroporti ndërkombëtar i Beogradit, u lind në korrik 1856 në një familje serbe, por në territorin aktual të Kroacisë, në kohën e Perandorisë Austro-hungareze dhe u natyralizua në SHBA në 1891.

Ai vdiq në janar 1943 në Nju Jork, ku edhe jetoi.

Në një intervistë me stacionin televiziv privat serb ”Pink”, Vuçiç tha se Tesla vetë e kishte përcaktuar veten si serb dhe amerikan dhe se anëtarët e familjes së tij u shfarosën nga regjimi profashist i ustashëve kroatë, pikërisht sepse ishin serbë.

”Tesla ka shumë pak lidhje me Kroacinë. Ai ishte serb, nuk e fshehu kurrë dhe ishte krenar për këtë”, vërejti Vuçiç, për të cilin Nikola Tesla i përket tërë njerëzimit, përfshirë Kroacinë.

Dje, presidenti kroat Zoran Milanoviç kishte ndërhyrë gjithashtu në këtë mosmarrëveshje duke propozuar me ironi që, edhe kur Serbia të bashkohet me BE, ajo mund të propozonte gjithashtu që të vendoste portretin e Teslas në monedhat e saj./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.