Mercedes version i plotë elektrik për secilin model deri në 2025

SHTUTGART, 24 korrik /ATSH-ANSA/ – Presion ambicioz për transformimin tërësisht elektrik të gjigandit Mercedes Benz, brenda vitit 2025.

Kompania me qendër në Shtutgart po përgatitet të bëhet plotësisht elektrike deri në fund të dekadës, duke nxitur drejt një të ardhme pa emisione dhe të drejtuar nga softueri.

Lajmi u be i ditur nga kreu i Daimler AG dhe Mercedes Benz AG, Ola Källenius , i cili gjatë një konference për shtyp specifikoi se deri në vitin 2022 “Mercedes-Benz do të ketë automjete elektrike me bateri (BEV) në të gjitha segmentet”.

”Nga 2025 e tutje, të gjitha arkitekturat e reja të automjeteve do të jenë thjesht elektrike dhe klientët do të jenë në gjendje të zgjedhin një alternativë tërësisht elektrike për secilin model të ofruar nga kompania”, shtoi ai.

”Kalimi në automjete elektrike po merr shpejtësi, veçanërisht në segmentin luksoz, të cilit i përket Mercedes-Benz. Pika e kthesës po afron dhe ne do të jemi gati kur tregjet të kalojnë në elektrike vetëm në fund të kësaj dekade”, theksoi Ola Källenius.

Në total, investimet në automjete elektrike me bateri midis 2022 dhe 2030 do të arrijnë në mbi 40 miliardë euro.

Përshpejtimi dhe avancimi i planit të portofolit të automjeteve elektrike do të çojë përpara kthesën për adoptimin e automjeteve elektrike. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.