Reagime pas fitores së xhudistes Krasniqi: Krenaria e vendit tonë

PRISHTINË, 24 korrik/ATSH/- Krerët e institucioneve politike reaguan menjëherë pas triumfit të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike që i siguroi Kosovës medaljen e parë në këtë Olimpiadë dhe të dytën në histori të vendit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se fitorja e Distrias është nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.

“Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, shprehet Osmani e cila gjendet në Tokio.

Kryeministri Albin Kurti shprehet: “DISTRIA E ARTË.Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, uroi Distrian dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ngjarje historike.

“Një ngjitje e jashtëzakonshme drejt së artës olimpike. E mbaj mend Distrian si një 15 vjeçare që me shumë pasion e punë synonte të bëhej më e mira në xhudo – jo vetëm për shkëlqimin e saj, por edhe të Kosovës. Dhe ajo sot e arriti këtë! Të lumtë Distria! Faleminderit për këto emocione, faleminderit për medaljen e dytë të artë olimpike për vendin tonë. Faleminderit mjeshtrit të papërsëritshëm Toni Kuka”, u shpreh Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumit Abdixhiku, përgëzoi Distrian dhe trajnerin Driton Kuka për një tjetër medalje olimpike që i sjellin vendit.

“Sportistët tanë, të rinjtë e të rejat tona, mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës. Janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë. Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë. Distria e hapi rrugën e medaljeve në ‘Tokyo 2020’ sot. Le ta vazhdojnë Majlinda, Akili, Nora, Lorjana, Egzoni, Donjeta, Driloni, Musa, Eda e Olti! Gjithmonë, çdokund e çdoherë krenarë me ju!”, shkroi Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se i jemi borxhli Distrias e Dritonit për secilin sukses dhe për secilin emocion.

“Flamuri i Republikës së Kosovës edhe njëherë u ngrit lartë nga Vajza e Artë. Faleminderit Distria! Faleminderit Driton Kuka! Ju jemi borxhli për secilin sukses, për secilin emocion”, shkroi Haradinaj. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.