Vendvarrimet e zbuluara në Përmet, reagon AIDSSH

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) po ndjek me vëmendje zhvillimet lidhur me identifikimin e vendvarrimeve të zbuluara në Bashkinë Përmet, si dhe debatin publik për periudhën kohore që i përkasin eshtrat e zbuluara.
Ndërkohë që referuar rrethanave konkrete të krijuara, autoritetet e ngarkuara nga legjislacioni në fuqi, si Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore ende nuk janë shprehur për origjinën e këtyre mbetjeve humane, përmes disa deklarimeve mediatike është tentuar jo vetëm të hidhet baltë mbi punën e AIDSSH, por edhe të pretendohet për moszbatim të procedurave ligjore dhe praktikave sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, në të cilat me shumë kujdes dhe vëmendje të posaçme, mbështetet puna kryesisht ndaj rasteve të sipërpërmendura.
AIDSSH, në respekt të informimit të opinionit publik, duke vlerësuar me përgjegjshmëri situatën e krijuar, sensibilitetin e saj shoqëror, në vlerësim të përpjekjeve dhe dhimbjes së familjeve që kërkojnë eshtrat e të zhdukurve në diktaturën komuniste, lidhur me prononcimet mediatike të bëra në televizion sqaron se ‘për çdo raportim nga familjarë të të afërmve të zhdukur në burgjet dhe kampet e internimit për mbetje humane të gjetura në Përmet, Burrel, Sarandë, kampin famëkeq të Tepelenës, etj. ka vepruar në zbatim rigoroz të përcaktimeve të Ligjit Nr. 45/2015 “Për të drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, duke ushtruar në transparencë të plotë funksionet për të cilat ligji e ngarkon me përgjegjësi.
AIDSSH ka bashkërenduar punën me institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, por pa u mbivendosur në ushtrimin e funksioneve të tyre të njohura nga ligji, përgjatë procesit të identifikimit, qartësimit të fatit të të zhdukurve, rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit, si dhe për masat për ruajtjen e vendvarrimeve.
Gjithashtu AIDSSH, me shqetësim gjithashtu evidenton tentativën për përbaltjen e kujtimit të qindra fëmijëve që u zhdukën dhe humbën jetën në kampin famëkeq të Tepelenës.
Për rreth 600 të vdekur, gjysma e të cilëve fëmijë deri 5 vjeç, ekzistojnë dokumente në fondin e AIDSSH, si dhe është raportuar nga qeveria amerikane në vitin 1955, në OKB, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.
Kampi famëkeq i Tepelenës, 30 vjet pas përmbysjes së diktaturës, është kthyer në vend kujtese falë punës dhe përpjekjeve të AIDSSH, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, si dhe mbështetjes institucionale të Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tepelenë.
Procesi i kurimit të së shkuarës vazhdon, i mbështetur nga qeveria shqiptare, partnerët ndërkombëtarë, dhe ndiqet me interes të shtuar nga publiku i gjerë. Çdo vit, në Ditën Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare, AIDSSH është në Tepelenë së bashku me autoritetet qendrore dhe lokale, dhe grupet e interesit, për të zhvilluar aktivitete përkujtimore.
Identifikimi i varreve të pashenjuara të fëmijëve dhe të atyre që humbën jetën në Tepelenë, është hapi i parë për rehabilitimin e të zhdukurve e familjeve të tyre, që vazhdojnë të shpresojnë në gjetjen dhe trajtimin njerëzor të viktimave pa faj të kampit.
AIDSSH, e përkushtuar në gjithë veprimtarinë institucionale për kurimin e së shkuarës duke nxjerrë në dritë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe krimet e komunizmit, mbështet dhe shpreh vlerësim maksimal për punën e kryer në kuadër të projekteve që i shërbejnë krijimit të memories dhe ndërgjegjësimit shoqëror për çështjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste.
Deklarata të pabazuara dhe të dhëna të pavërteta për punën, angazhimin dhe veprimtarinë institucionale të AIDSSH, mbeten në kuadrin e keqinterpretimeve dhe opinioneve individuale, të cilat nuk cenojnë një proces kaq të rëndësishëm për shoqërinë që zhvillohet në transparencë të plotë.
AIDSSH, duke shprehur indinjatën për të pavërtetat e deklaruara mediatikisht, njëherazi shpreh keqardhje për faktin se këto deklarime abuzojnë me ndjeshmëritë e familjarëve të viktimave të diktaturës.
AIDSSH, fton të gjithë aktorët të presin përfundimet e punës së institucioneve përgjegjëse shtetërore, dhe të shmangin retorika të cilat jo vetëm nuk i shërbejnë të vërtetës, por shkaktojnë dezinformin dhe ngarkesa emocionale në opinionin publik.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.