Ballina Ekonomi

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 56.2 miliardë lekë në 6 muaj

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Eksporti i tekstileve dhe këpucëve, që përbën një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ka shfaqur shenja rikuperimi gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, që lidhet kryesisht me lehtësimin e kufizimeve në vendet kryesore partnere të Shqipërisë, Italia apo Greqia.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi shënuan rritje me 6.3 %.

Në vlerë ato llogariten 56.2 miliardë lekë gjatë 6-mujorit të parë të 2021-it nga 48.2 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Gjatë vitit 2020 eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me 2019-ën për shkak të kufizimeve të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik pas vendosjes së masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Sipas INSTAT, gjatë 2020-s, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” llogariten 102.3 miliardë lekë nga 118.2 miliardë lekë që ishin në 2019-ën.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Nisur edhe nga kërkesat në rritje të tregut europian, ky sektor konsiderohet ende në zgjerim dhe në zhvillim.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama publikon pamje nga tokat e punuara në Gosnisht të Përmetit
Artikulli tjetërEkonomi: Forcim i kontrollit për sigurinë ushqimore