Biogen mbron ilaçin e tij të ri kundër Alzheimer

NJU JORK, 23 korrik /ATSH-AFP/ – Laboratori amerikan “Biogen” ka mbrojtur ilaçin e tij të diskutueshëm kundër Alzheimer-it, duke pranuar që hedhja e tij në treg ishte më e ngadaltë nga sa pritej.

Agjencia Amerikane e Barnave (FDA) i dha dritën jeshile në fillim të qershorit, përmes një procedure të përshpejtuar, shitjes së këtij produkti të quajtur Aduhelm, trajtimi i parë i miratuar kundër sëmundjes Alzheimer që nga viti 2003.

Megjithatë, një komitet ekspertësh doli kundër vendimit të FDA-së, duke gjykuar se trajtimi nuk e kishte demonstruar mjaftueshëm efektivitetin e tij gjatë provave klinike.

Nën presion, FDA njoftoi në fillim të korrikut se kishte ndryshuar rekomandimet e saj për përdorimin e ilaçit, duke kufizuar përdorimin e tij vetëm për personat me gjendje të moderuar të sëmundjes.

“Miratimi i Aduhelm është subjekt i shumë keqinformimeve”, tha kreu i hulumtimit të kompanisë, Alfred Sandrock, në një letër të hapur.

Kompania ka njoftuar, gjithashtu, se është në proces diskutimi për Aduhelm me autoritetet rregullatore për barnat në Europë, Japoni dhe tregje të tjera./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.