Rakacolli: Vaksinimi, arma e vetme mbrojtëse kundër varianteve të COVID-19

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Mbi rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u bëri apel qytetarëve të vaksinohen, pasi është arma e vetme mbrojtëse ndaj këtij virusi.

“Duhet të kemi një vëmendje të shtuar me rritjen e lehtë të rasteve gjatë ditëve të fundit. Rritja e rasteve në Shqipëri është me ritme jashtë zakonisht të ulëta në krahasim me rastet në botë e Europë. Duhet të marrim masa në kohë që këto raste mos të shtohen. E vetmja mënyrë e parandalimit është vaksinimi. Çdokush duhet të bëj pyetje për rritjen e rasteve se çfarë duhet të bëj dhe nëse nuk është vaksinuar duhet të shkoj në qendrat e vaksinimit sa më parë”, tha Rakacolli gjatë një interviste televizive.

Mbi situatën e pandemisë në vendin tonë Rakacolli theksoi se është e mirë dhe numri i shtrimeve në spitale ka rënë.

“Gjendja deri tani paraqitet e mirë, në spital ka shumë pak të shtruar dhe vlen të theksojmë që personat që janë të shtruar janë të gjithë të pavaksinuar, megjithëse janë mbi 60-vjeç dhe për motive personale nuk kanë pranuar të vaksinoheshin”.

Sipas zv.ministres, e vetmja armë që kemi kundër variantit ‘Delta’ është vaksinimi, duke u bërë apel qytetarëve që të përfitojnë nga ditët e hapura të vaksinimit.

“Ka rënë mosha e personave të infektuar, nëse më parë ishin moshat mbi 40 vjeç e sipër, tani grupmosha më e prekur është 15-45 vjeç, të pavaksinuar. Kush është mbi 18 vjeç, duhet të drejtohet te qendra e vaksinimit, është e vetmja mënyrë për të shmangur infektimin”, apeloi ajo.

E pyetur nëse rritja e rasteve ka të bëjë me lirimin e masave ajo theksoi se masat nuk janë liruar deri në atë pikë sa për të shtuar infektimet dhe se situata është e kontrolluar.

“Rritja e rasteve nuk vjen nga lirimi i masave, por mund ketë dy arsye, një mund të jetë fakti i pranisë së mutacionit Delta që ka infektueshmëri më të lartë dhe grumbullimet që ndodhën gjatë Kampionatit Europian. Këto janë shkaqet, jo lirimi i masave, sepse masat nuk janë liruar në atë pikë që të sjellin rritje të infektimeve. Megjithatë, situata është tërësisht e kontrolluar. Zyrtarisht nuk e kemi konfirmuar ende praninë e variantit ‘Delta’, por sinjalet janë të forta për praninë e këtij virusi”, tha Rakacolli.

Gjithashtu Rakacolli theksoi se stina e vjeshtës do jetë disi e vështirë, pasi sipas saj ka rigjallërim edhe të virozave të tjera, si gripi etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.