VILNIUS, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Lituania ka forcuar rregullat e saj të azilit për shkak të një rritjeje të mprehtë të numrit të kalimeve të paligjshme në vend nga Bjellorusia fqinje.
Ndryshimet e diskutueshme, që u votuan në parlamentin lituanez me një shumicë të madhe, u dekretuan sot në ligj nga presidenti Gitanas Nauseda.
Megjithatë, Nauseda paralajmëroi se të drejtat e azilkërkuesve nuk duhet të kufizohen më shumë sesa është e nevojshme.
Rregulloret e reja përshpejtojnë procedurat e shqyrtimit të azilit dhe kufizojnë lëvizjen e lirë të migrantëve, që hyjnë në Lituani në mënyrë të paligjshme.
Në përgjigje të sanksioneve të BE-së, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ka kërcënuar vazhdimisht se do të lejojë refugjatët nga zonat e luftës të kalojnë përmes vendit të tij, duke i sjellë ata drejtpërdrejt në kufirin e BE-së.
Lituania, që ka një kufi të përbashkët gati 680 kilometra me Bjellorusinë, është prekur veçanërisht nga rritja e numrit të azilkërkuesve këtë vit.
Javët e fundit, disa qindra migrantë kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme.
Ndryshimet në ligj janë kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut./ /ervo/























