Përkujtohet kontributi i Fatos Arapit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Përkujtohet një nga figurat e rëndësishme shqiptare sikurse është Fatos Arapi.

Ai lindi më 19 korrik 1930 në Zvërnec të qytetit të Vlorës dhe ndërroi jetë në Tiranë më 11 tetor 2018.

Në qytetin e tij të lindjes ai mori edhe arsimin, formimin bazë dhe atë të mesëm ndërsa studimet e larta i ndoqi në Sofje të Bullgarisë për ekonomi.

Pas kthimit në atdhe, Arapi njihet për kontributin e tij të madh që dha edhe në gazetari por edhe si lektor për letërsinë moderne shqiptare.

Më 1954 në Teknikumin Financiar kontribuoi si mësues i kësaj shkolle në lëndët e statistikës, planifikim dhe ekonomi politike. Gjatë viteve 1959-1966 ka qenë pedagog në Institutin Bujqësor ku dha degën e ekonomisë dhe ekonomi politike në institutin e lartë ekonomik në Tiranë. Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”.

Kontributi i tij letrar ka qenë shumë i madh dhe mund të përmendim “Shtigje poetike”, “Partizani pa emër”, “Poema dhe vjersha”, “Ritme të hekurta”, “Patat e egra”, “Dhjetori i shqetësuar”, “Dikush më buzëqeshte”, “Poezi të zgjedhura”, “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, “Shokët”, “Cipa e borës”, “Deti në mes”, etj.

Edhe si përkthyes Arapi ka lënë për lexuesin shqiptar vepra si, “Këngë për njeriun”, “Nikolla Vapcarov”, Poezi, Pablo Neruda, Antologji e poezisë turke të shekullit XX.

Fatos Arapi sikurse shumë intelektual të tjerë shqiptar nuk i shpëtoi ndëshkimit të periudhës komuniste. Për sensin e tij të kritikës antiburokratike dhe analizës të fortë që ndodhi në Pleniumin IV, për kritikën e veprës “Drama e një partizani pa emër”, në vitin 1973 e transferojnë nga pozicioni i pedagogut drejt shkollës së mesme të natës “Sami Frashëri” të Tiranës.

Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik Mbrëmjet e Poezisë Strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.