Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve në ekonomi

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Bizneset në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë rritur normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të dytë, duke konfirmuar tendencën në përmirësim të aktivitetit ekonomik.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, “norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 75.9 % për tremujorin e dytë të vitit 2021, rreth 1.4 % më e lartë se një tremujor më parë”.

Gjithashtu vëren BSH-ja, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në shërbime në tremujorin e dytë u rrit në vlerën 75.4 %, rreth 2.4 % më e lartë se një tremujor më parë.

Ndërsa norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti dhe ndërtim u rrit përkatësisht me 9 % dhe 3 %.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5 % gjatë 3-mujorit të parë të vitit, ndërkohë që, sipas Bankës së Shqipërisë, analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma edhe më të shpejta rritjeje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.