Ecnin me shpejtësi 225 km/h në aksin Fier-Vlorë, gjobiten 2 shqiptarë nga Kosova

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Dy shqiptarë nga Kosova u ndëshkuan me masë administrative në aksin Fier-Vlorë, pasi ecnin me shpejtësi 225 km/h dhe nuk ndaluan Policisë Rrugore.
Sipas policisë, drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.
Policia sqaron se në bajpasin e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zvicerane tip “Lamborghini” dhe “BMW” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.
Automjeteve u është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar, por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës.
Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.
Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi kudo ka radarë e punonjës të Policisë Rrugore.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.