Ballina Bota

COVID-19 – Boris Johnson vetëkarantinohet

LONDËR, 18 korrik /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik Boris Johnson është detyruar të izolohet pas kontaktit me një rast pozitiv për COVID-19, një ditë para heqjes së kufizimeve kundër pandemisë në Angli.

Një zëdhënës i Downing Street njoftoi sot se Boris Johnson dhe ministri i Financave, Rishi Sunak kishin qenë në kontakt këtë javë me ministrin e Shëndetësisë, Sajid Javid, i cili njoftoi dje se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

Sipas zëdhënësit, fillimisht, Johnson dhe Sunak kishin vendosur “të mos karantinoheshin plotësisht”, sepse “ata do të marrin pjesë në një program pilot të shfaqjeve ditore”, që “u lejon atyre të vazhdojnë të punojnë nga Downing Street”.

Sidoqoftë, të përballur me reagimin i shkaktuar edhe nga opozita që denoncoi një qeveri “mbi ligjin”, Downing Street njoftoi dy orë më vonë se të dy burrat do të respektojnë periudhën e tyre të izolimit.

Johnson “do të vazhdojë të mbajë takime me ministrat në distancë” nga Checkers, rezidenca krerëve të qeverisë në Londrën veriperëndimore.

Një nga vendet më të prekura në Europë nga COVID-19, që ka vrarë më shumë se 128 600 persona, BM ka parë javët e fundit rritje të rasteve të infektimit, duke tejkaluar 54 000 raste ditore të shtunën.

Pavarësisht nga këto shifra, Johnson këtë javë konfirmoi heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve të mbetura në Angli, duke filluar nga e hëna, përfshirë kërkesën për të mbajtur maskë ose distancim shoqëror, duke preferuar të mbështetet te “përgjegjësia individuale” e gjithësecilit./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPD zgjedh 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar
Artikulli tjetërFlamuri kuqezi valëvitet në fshatin olimpik në Tokyo, Rama: Suksese Shqipëri