TIRANË 16 korrik /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu sot përmes një mesazhi, solidaritetin me popullin gjerman dhe autoritet e Gjermanisë, të goditur nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve.
Ruçi shprehet se “kjo fatkeqësi e papritur e natyrës goditi disa zona të Gjermanisë, vendit mik, partner dhe aleat të Shqipërisë”.
“Shpreh dhimbjen e thellë për humbjet e jetëve njerëzore dhe dëmet e shkaktuara dhe u përcjell solidaritetin e Kuvendit të Shqipërisë familjeve të viktimave, qeverise dhe Bundestagut Gjerman, miqve të Shqipërisë, Kancelares Merkel dhe Presidentit të Bundestagut Schäuble. Shpreh bindjen se Gjermania, kjo lokomotivë ekonomike dhe politike e Europës do t’i kapërcejë sa më shpejt pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore”, u shpreh kryeparlamentari Ruçi.
Basha: Ngushëllime familjeve të viktimave
Kreu i PD ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga përmbytjet në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg.
Basha i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave, ndërsa tha se PD dhe shqiptarët janë në solidaritet të plotë me të prekurit dhe autoritetet.
“Ngushëllimet e ime shkojnë për viktimat dhe të dashurit e tyre të goditur nga përmbytjet dramatike në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe të gjithë komunitetet e prekura nga kjo katastrofë natyrore. Partia Demokratike shqiptare dhe populli i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me dhe mbështetje për njerëzit dhe autoritetet ndërsa ata punojnë për të shpëtuar jetë dhe për t’u rikuperuar nga këto ngjarje tragjike”, u shpreh Basha.
/r.e/















