KOPENHAGË, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Agjencia shëndetësore e Bashkimit Europian (ECDC) parashikon një rritje të mprehtë të infeksioneve të reja të COVID-19 në Europë për shkak të përhapjes së variantit Delta.
Duke u bazuar në parashikimet për vendet e Zonës Ekonomike Europiane (EEA), agjencia pret që numri i rasteve në rajon të rritet në 622,9 infeksione të reja për 100 000 banorë në javën e parë të plotë të gushtit.
EEA përfshin 27 vendet e BE-së plus Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
“Shkalla e incidencës 7-ditore ishte 89,6 javën e kaluar, pas rritjeve në dy javët e mëparshme”, tha ECDC në raportin e fundit për COVID-19.
Sipas raportit, deri në fund të kësaj jave, pritet një rritje me 144,6 raste të reja për 100 000 banorë në të gjithë EEA-në.
Më pas, shifrat do të ngrihen edhe më shumë, me vlera të vlerësuara të 262,2 dhe 420,4, si edhe 622,9 në javët në vijim.
“Përkeqësimi aktual i vazhdueshëm i situatës epidemiologjike në shumë vende pritet të vazhdojë, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të variantit Delta”, shkruhet në raport.
Rritjet më të fundit të infeksioneve janë raportuan në mesin e grupmoshave më të reja.
Numri i pranimeve në spital dhe vdekjeve të lidhura me COVID-19 ka mbetur në përgjithësi i qëndrueshëm./ /ervo/





















