ROMË, 13 korrik /ATSH-ANSA/ – Vaksina e gripit mund të mbrojë nga efektet më të rënda të COVID-19, duke zvogëluar rrezikun e goditjes në tru, e infektimit të përgjithshëm dhe trombozës venoze, si edhe të shtrimeve në urgjencë dhe kujdes intensiv, sipas një studimi të prezantuar sot në Kongresin Europian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive.
Në studim, hulumtuesit e Universitetit të Miami-t analizuan bazën e të dhënave të quajtur TriNetX, që përmban të dhënat mjekësore të më shumë se 70 milionë pacientëve në të gjithë botën.
Ata identifikuan dy grupe me rreth 40 000 subjekte nga vende të ndryshme, anëtarët e të cilëve ishin të ngjashëm për sa i përket të gjitha karakteristikave që lidhen me rrezikun e një Covid-i serioz.
Vetëm personat në grupin e parë ishin vaksinuar me vaksinën e gripit midis dy javë dhe gjashtë muaj para diagnozës COVID-19.
Analiza tregoi se ata që nuk ishin vaksinuar kishin një rrezik 20% më të lartë për t’u shtruar në spital në kujdes intensiv, 58% për t’u shtruar në urgjencë, 45% për të pasur infektim të përgjithshëm, 58% për të pësuar goditje në tru dhe 40% për të pësuar trombozë.
Rreziku i vdekjes mbeti i pandryshuar në të dy grupet.
Sipas autorëve, mekanizmi i kësaj mbrojtje të mundshme nuk dihet ende, por shumica e teorive janë përqendruar te forcimi i sistemit imunitar të përgjithshëm, te mbrojtje që nuk drejtohen kundër një sëmundjeje të veçantë./ /ervo/























