TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Giacomo Vrioni, i cili pak ditë më parë është transferuar në Bundesligën e Austrisë, ka qenë protagonist absolut me skuadrën e tij të re. Sulmuesi kuqezi ka shënuar dy gola për Tirolin, duke lënë gjurmë që në ndeshjen e parë me këtë ekip.
Fillimisht, Vrioni fitoi një penallti, që e shndërroi në gol duke i dhënë avantazhin skuadrës austriake, ndërsa pak minuta më vonë, shqiptari gjen sërish rrugën e rrjetës, duke dyfishuar shifrat për “Tirolin”. Pavarësisht dy golave të shënuar nga Vrioni, skuadra e “Tirolit” nuk shkoi më shumë se barazimi 3-3.
Sulmuesi, i cili është në pronësi të “Juventusit”, u huazua për një vit te skuadra austriake e “Zvarovski Tirol” në mënyrë që të gjejë më shumë hapësira për të luajtur. 22-vjeçari duket se e ka lënë pas dëmtimin që e mbajti larg fushave për shumë muaj sezonin e kaluar dhe po rigjen formën e tij të dikurshme gradualisht.
Sigurisht, një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare që shpreson të mbështetet edhe te talenti i Vrionit në të ardhmen. /j.p/r.e/












