TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi deklaroi sot se “Reforma në Drejtësi e rithemeloi sistemin e drejtësisë bazuar, midis të tjerash, në parimin e depolitizimit dhe të vetëqeverisjes së pjesshme të sistemit”.
Ibrahimi kujtoi se “vetëm 5 vite më parë, Ministria e Drejtësisë ishte administratori ekskluziv i gjykatave në këtë vend”.
“Ministria e Drejtësisë ishte inspektor i gjykatave dhe gjyqtarëve dhe gjithashtu iniciuesi ekskluziv i procesit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pa firmën e ministrit asnjë gjyqtar nuk mund t’i nënshtrohej procedimit disiplinor. Në gjysmën tjetër të sistemit të drejtësisë, kompetencat qeverisëse ishin grumbulluar në duart e një njeriu të vetëm që ishte Prokurori i Përgjithshem, që nuk ishte veçse një guvernator fuqiplotë i politikës në sistemin e prokurorisë. Ai zgjidhej dhe shkarkohej me shumicë të thjeshtë nga parlamenti, shërbente pa afat kushtetues dhe në kushtet e mungesës së plotë të llogaridhënies”, tha Ibrahimi.
Ai theksoi se sot Ministria e Drejtësisë dhe qeveria duhet t’i drejtohet atyre që njihen si “soft powers” për të kryer detyrat e saj të rëndësishme në fushën e drejtësisë”.
Ibrahimi tha se Reforma në Drejtësi në vitin 2016, nuk ishte thjesht një përpjekje teknike për të bërë të mundur që shërbimi i sistemit të drejtësisë të jetë më i efektshëm. “Ne nuk u mjaftuam me kaq në 2016. Në të vërtetë reforma e vitit 2016 e rithemeloi sistemin e drejtësisë bazuar, midis të tjerash, në parimin e depolitizimit dhe të vetëqeverisjes së pjesshme të sistemit”, shtoi ai.
Ibrahimi theksoi se “sot prokurorët janë pjesëmarrës aktiv në qeverisjen e sistemit në të cilin ata shërbejnë. Vendimet mbi karrierat e prokurorëve merren në mënyrë meritokratike e kolegjiale nga KLP. Kjo mënyrë vendimmarrjeje mbi karrierat e prokurorëve është guri i themelit në përpjekjen afatgjatë për të krijuar prokurorin e ri të Shqipërisë të karakterizuar nga profesionalizmi, integriteti e dinjiteti”.
“Prokurorët e Shqipërisë duhet të mësohen me lirinë racionale dhe të kushtëzuar që ka sjellë Reforma në Drejtësi. Natyrisht që nuk ka dhe nuk mund të ketë liri nga ligji. Liria nga ligji quhet anarki”, tha ai. /m.m/j.p/r.e/























