Ballina Flash

Vdes Raffaella Carrà, ylli i spektaklit italian

ROMË, 5 korrik /ATSH-ANSA/ – Prezantuesja, balerina, aktorja dhe këngëtarja ikonë e spektaklit italian, Raffaella Carrà vdiq sot pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 78-vjeçare, njoftoi koreografi Sergio Japino.

“Raffaella na la. Ajo shkoi në një botë më të mirë, ku humaniteti i saj, e qeshura e pangatërrueshme dhe talenti i jashtëzakonshëm do të shkëlqejnë përgjithmonë”, tha Japino duke iu bashkuar dhimbjes së nipave e mbesave të saj Federica dhe Matteo, Barbara, Paola dhe Claudia Boncompagni, miq gjatë gjithë jetës dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë.

“Raffaella Carrà ndërroi jetë në orën 16:20, pas një sëmundjeje që për ca kohë sulmoi trupin e saj aq të vogël, por plot energji, me një forcë të pandalshme, që e ka vënë atë në krye të sistemit të yjeve botërore, një vullnet i hekurt që nuk e braktisi kurrë deri në fund”.

Një grua e jashtëzakonshme por e pajisur me një thjeshtësi të madhe.

Suksesi i saj nuk kishte kufij, duke mbërritur në Amerikën e Jugut, Francë, Spanjë.

Nga Trieste e poshtë me programet si “Pronto Raffaella” dhe “Carramba che Sorpresa”, ajo bëri historinë e televizionit italian.

Ajo nuk pati fëmijë, por gjithmonë thoshte se kishte mijëra prej tyre: 150 000 fëmijët e adoptuar në distancë falë “Amore”, programi që kishte më përzemër.

Në amanetin e fundit, Raffaella ka kërkuar një arkivol të thjeshtë druri të papërpunuar dhe një urnë për të mbajtur hirin e saj./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjykata Kushtetuese shpall vendimin, shfuqizon dy nene të ligjit për Policinë e Shtetit
Artikulli tjetërKredia konsumatore u rrit në 11 miliardë lekë gjatë 5-mujorit të parë