ROMË, 4 korrik /ATSH-ANSA/ – Vaksinat mARN të Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë shumë efikase te të rriturit në moshë pune në parandalimin e infeksionit Sars-CoV-2 dhe ulin ngarkesën virale, rrezikun e etheve dhe kohëzgjatjen e sëmundjes midis atyre që mund të riinfektohen pavarësisht vaksinimit.
Këto janë rezultatet e një studimi të botuar në New England Journal of Medicine dhe të kryer në SHBA mbi 3 975 vullnetarë dhe për 17 javë midis punonjësve shëndetësorë.
Sars-CoV-2 u zbulua në 204 pjesëmarrës (5%), përfshirë pesë plotësisht të vaksinuar, 11 pjesërisht të vaksinuar dhe 156 të pavaksinuar.
Efikasiteti i vaksinës ishte 91% me vaksinim të plotë dhe 81% me vaksinim të pjesshëm.
Midis pjesëmarrësve me infeksion Sars-CoV-2, ngarkesa mesatare e ARN virale ishte 40% më e ulët te pjesëmarrësit pjesërisht ose plotësisht të vaksinuar, e krahasuar me atë te pjesëmarrësit e pavaksinuar dhe u zbulua vetëm për një javë.
Vetëm 25% e atyre që ishin vaksinuar pjesërisht ose plotësisht raportuan simptoma ethesh, krahasuar me 63% të atyre që nuk ishin vaksinuar.
Rreziku i simptomave të etheve ishte 58% më i ulët me të paktën vaksinimin e pjesshëm.
Pjesëmarrësit e vaksinuar raportuan, gjithashtu, 6,4 ditë më pak të simptomave totale dhe 2,3 më pak ditë të kaluara në shtrat me COVID-19, të krahasuar me pjesëmarrësit e pavaksinuar./ /ervo/























