Ballina Ekonomi

FOTO/ Lehtësim të procedurave për rimbursimin e TVSH-së

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Qeveria shqiptare po vijon reformat për lehtësimin e klimës së të bërit biznes në vend.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi vizitoi sot një nga kompanitë më të mëdha në treg për prodhimin e trastave prej letre, nga ku deklaroi se po punohet për të lehtësuar procedurat me rimbursimin e TVSH-së.

“Me planet e Edmondit për zgjerimin me një fabrikë të re u njoha vitin e kaluar dhe sot u riktheva për të parë investimin prej më shumë se 1 milion euro edhe me një linjë të re prodhimi”, u shpreh Shalsi.

Tashmë, kompania konsiderohet si një prej prodhuesve më të mëdhenj në vend të çantave prej letre me kapacitete prodhimi deri në 40.000 çanta në ditë.

“Po punojmë me institucionet përkatëse për të lehtësuar procedurat me rimbursimin e TVSH-së si edhe detyrimin e pagimit të TVSH-së në doganë për importin e makinerive të fabrikës”, deklaroi Shalsi.

Rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është një nga ato tregues për të cilin gjatë dy viteve të fundit është punuar fort në mënyrë që të përmirësohet situata e stokut të dhe kohës së dhënies së rimbursimit biznesit.

Nëse në fund të vitit 2019 stoku i rimbursimit ishte mbi 11 miliardë lekë, në fund të vitit 2020, stoku i rimbursimit është 9.8 miliardë lekë dhe në fund të muajit prill stoku i rimbursimit është 4.2 miliardë lekë.

Ky stok i përket bizneseve të mëdha dhe është një stok i trashëguar prej vitesh, i cili po reduktohet dita-ditës dhe ne presim që në fund të vitit 2021 ky stok të jetë zero.

Për të gjitha subjektet, të cilat kanë kërkesa për rimbursim në vlerë më të vogël se 150 milionë lekë, stoku i rimbursimit është zero.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOperacioni Shqipëri-Itali për trafik ndërkombëtar narkotikësh, korrupsion e pastrim parash/ SPAK jep detaje: Të arrestuar një prokuror dhe efektivë policie
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE kërkon rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen kibernetike