Ballina Flash

Prezantohet Barometri Ballkanik 2021/ Bregu: Për 49 % të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, papunësia problemi më i madh

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) prezantoi sot në Tiranë edicionin 2021 të Barometrit Ballkanik.

Ky është edicioni i 7-të për sondazhin vjetor të opinioneve të publikut dhe biznesit, përgatitur nga RCC, i cili shqyrton perceptimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe sipërmarrësve të Ballkanit Perëndimor rreth një shumëllojshmërie temash, siç janë integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal, dixhitalizimi, rimëkëmbja e gjelbërt, punësimi, dhe për të dytin vit radhazi përfshin tema që lidhen me situatën e vështirë rajonale të shkaktuar nga COVID-19.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mbështesin bashkëpunimin rajonal, 77 % e tyre janë dakord se kjo mund të kontribuojë në një situatë më të mirë politike, ekonomike si dhe të sigurisë në ekonominë e tyre dhe 62 % e konsiderojnë anëtarësimin në BE si diçka të mirë për ekonomitë e tyre. Ende 49 % mendojnë se papunësia është problemi më i madh me të cilin përballet ekonomia e tyre, krahasuar me 45 % në vitin të kaluar. Të rinjtë gjithashtu dakordësohen, ku 63 % e tyre konsiderojnë se mundësitë e papërshtatshme të punësimit janë problemi më i madh. Sipas sipërmarrësve, 72 % perceptojnë BE-në si bashkësinë më të preferuar për të bërë tregti dhe 48 % thanë se marrëveshja e re e roaming i ndihmoi ata të kursenin para.

“Për 49 % të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, papunësia është problemi më i madh, ashtu si edhe për të rinjtë, ndërsa 46 % janë më të shqetësuar për situatën ekonomike. Pandemia zhvendosi mendimet dhe ndikoi në realitetet. Njerëzit janë më hezitues të largohen dhe të punojnë jashtë vendit – 37 % e qytetarëve do ta bënin atë – një trend ulës në krahasim me vitin e kaluar”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Barometrin Ballkanik të prezantuar sot.

“Qytetarët e BB kanë rritur mbështetjen e tyre për bashkëpunimin rajonal dhe BE. Barometri Ballkanik regjistron vazhdimin e mbështetjes në rritje për bashkëpunimin rajonal me 77 % të qytetarëve, ndërsa 69 % e bizneseve e shohin cilësinë e bashkëpunimit rajonal si të rëndësishëm për biznesin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, mbështetja për integrimin dhe pranimin në BE është rritur ndjeshëm gjatë vitit pandemik, megjithë ngadalësimin e procesit të zgjerimit. 62 % e të anketuarve e shohin anëtarësimin në BE si një gjë të mirë, ashtu si 66 % të bizneseve. Shumica dërrmuese e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor – 73 % e perceptojnë BE-në si bllokun më të preferuar për tregti, ndërsa Bashkimi kryeson vendin e parë si më mbështetësi në përpjekjet antipandemike nga 43 % e të anketuarve përmes ndihmës mjekësore dhe financiare – shumë përpara të Kinës – 14 %, Turqisë – 9 % ose Rusisë – 7 %”, shtoi Bregu.

Zëvendësshefja e Njësisë për Bashkëpunimin dhe Programet Rajonale të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Europian (DG NEAR), Alessandra Viezzer në hapjen e veprimtarisë, tregoi rëndësinë e këtij studimi për Ballkanin Perëndimor.

Prezantimi përfundoi me panelin e diskutimit të moderuar nga Tim Judah, gazetar dhe autor/korrespondent i Ballkanit për “Economist” me panelistët: Majlinda Bregu, Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Jim O’Brien, Këshilltar i Lartë në Këshillin e Atlantikut të Iniciativës Future Europe, Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtor/shef i zyrës së Sofjes në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Corina Stratulat, shefe e Programit/Analist i Lartë i Politikave në Qendrën e Politikave Evropiane, Branimir Jovanovic, ekonomist në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Vjenës dhe Gentian Elezi, konsulent i RCC për botimin e Ballkanit Barometer 2021 nga botimi Qendra Shqiptare për Konkurrencën dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT) duke folur për përparësitë kryesore për një Ballkan Perëndimor të lulëzuar.

“Bizneset e Ballkanit Perëndimor vërejnë se ata padyshim do të përfitojnë nga udhëtimi nëpër rajon me karta identiteti – një marrëveshje që negociohet si pjesë e agjendës së Tregut të Përbashkët Rajonal. 61 % e të anketuarve mbështesin këtë iniciativë, pasi udhëtimi midis disa prej ekonomive të rajonit po përballet me pengesa të mëtejshme. Marrëveshja Rajonale e Roaming ka ndihmuar gati gjysmën e të anketuarve për të kursyer para në kostot e telefonit (48 %). Kjo jep një stimul pozitiv në prag të një ngjarje të rëndësishme të 1 korrikut – kur tarifat e roamingut do të reduktohen në zero brenda rajonit”, tha Bregu në përfundim të aktivitetit. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDenaj me ambasadorin e Japonisë/ Angazhim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike
Artikulli tjetërNisma për furnizim me gaz natyror, Balluku: Plan veprimi për të parandaluar rreziqet dhe emergjencat