Denaj me ambasadorin e Japonisë/ Angazhim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj priti sot në Tiranë, në një takim kortezie ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, Takada Mitsuyuki,

Ministrja Denaj bëri të ditur se në fokus të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Së bashku me Ambasadën e Japonisë, vuri në dukje Denaj, u angazhuam për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.

“Shqipëria ka potencial për tërheqjen e investimeve në fushën automotive dhe një shembull i suksesshëm është kompania Sews-Cabind, që operon prej dy vitesh dhe synon zgjerimin e mëtejshëm në treg”, tha Denaj.

Ministrja vlerësoi të suksesshëm edhe bashkëpunimin që Shqipëria ka me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA).
“JICA ka dhënë një kontribut të vlefshëm me projekte mbështetëse për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, me trajnime dhe rritje të aftësive”, deklaroi Denaj. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.