TIRANË, 24 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi sot në një intervistë televizive se duhet zgjidhje legjislative për plotësimin e vakancave të shkaktuara nga procesi i Vetingut.
Ibrahimi tha se rreth 70 për qind e të vetuarve janë shkarkuar duke e konsideruar një shifër dramatike.
“Është koha që ky shqetësim të bëhet prezent fort. Natyrisht, kur vjen edhe nga ambasadorja amerikane, merr një peshë që do të duhet të kishte në fakt. Rezultatet e procesit të Vetingut kanë qenë të tilla, që, nga njëra anë mund t’i quash të suksesshme, sepse kanë arritur të identifikojnë mungesën e integritetit dhe profesionalizmit në radhët e magjistratëve; dhe pikërisht kjo është arsyeja për të cilën u krijuan institucionet e Vetingut. Por, nga ana tjetër, rezultati në shifra është i papritur. Sot flasim për një nivel të shkarkimit nga Vetingu për rreth 70 për qind të të vetuarve. Kjo është një shifër dramatike, tronditëse, mund të thuash”, tha ai.
Po ashtu, Ibrahimi shtoi se numri total i prokurorëve, të cilët shërbejnë në sistemin tonë të prokurorisë është 341.
“Sot kemi në detyrë 238 syresh. Pjesa më e madhe e atyre që mbeten në sistem, është e pavetuar. Në qoftë se duhet të imagjinojmë një rezultat të ngjashëm në të ardhmen, sa i takon procedurave të Vetingut, atëherë gjendja do të vijë përditë duke u përkeqësuar. Situata në gjyqësor është akoma më e vështirë, sidomos në gjykatat e apelit, gjendja është më dramatike, pasi nga 107 gjyqtarë të cilët duhet të ishin aty, sot janë vetëm 35. Nga këta 35, ka akoma që janë akoma në proces vetingu, ndërsa ata, të cilët kaluan vettingun, janë të prirur të konkurrojnë për të shërbyer në Gjykatën e Lartë, sepse është një mundësi karriere, të cilën ata nuk mund ta neglizhojnë. Pra, projeksioni për gjykatat është edhe më dramatik se për çdo segment tjetër të drejtësisë”, tha ai.
Ibrahimi shtoi se Vetingu është një sistem, i cili përbëhet nga një gjykatë e shkallës së parë, nga një trup komisionerësh publikë, nga një gjykatë e shkallës së dytë.
“Rezultati që mund të duket kaotik në pamje të parë, i qëndron besnik frymës së reformës dhe qëllimeve të saj, për të pasur një spastrim të të gjithë sistemit, për aq sa është i nevojshëm. Kështu që, unë mendoj se të gjithë aktorët janë në rolin e tyre natyror; magjistratët janë në rolin e tyre natyror, deri sa përpiqen t’i tregojnë opinionit publik dhe organeve të vetingut se janë të pastër; organet e vetingut janë në rolin e tyre, deri sa kërkojnë dhe gërmojnë për të kuptuar se, cila është e vërteta në raport me integritetin dhe profesionalizmin e magjistratëve; edhe ndërkombëtarët janë aty, në përpjekje për të na ndihmuar të bëjmë më të mirën e mundshme në kuadër të kësaj reforme, tha ai”. /j.p/r.e/























