TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rihapi garën ndërkombëtare për tunelin e Llogorasë, një vepër e cila i përgjigjet strategjisë së turizmit duke shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj, si dhe duke i dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm turistik të rivierës shqiptare.
Sipas MIE-s, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 28 korrik (28.07.2021).
Me ndërtimin e kësaj vepre, aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.
Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e hapi për herë të parë garën për ndërtimin e këtij tuneli në mesin e muajit dhjetor të vitit 2020, por në mbyllje të garës asnjë nga 5 kompanitë që morën pjesë nuk përmbushën kriteret.
“Pas një vëzhgimi shumë të detajuar ka rezultuar se asnjë nga pjesëmarrësit nuk përmbush kushtet për sa i përket dokumentacionit ligjor dhe teknik. Gara do të rihapet menjëherë mbas përfundimit të kohës së ankimimeve”, sqaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pak pas mbylljes së garës.
/r.e/























