STOKHOLM, 23 qershor /ATSH-AFP/ – Varianti Delta i koronavirusit, shumë përhapës, do të përbëjë 90% të rasteve të reja të COVID-19 në Bashkimin Europian deri në fund të gushtit, theksoi sot Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që bëri thirrje për kujdes.
“Është shumë e mundur që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht tek të rinjtë që nuk janë vaksinuar”, theksoi drejtoresha e agjencisë europiane për sëmundjet, Andrea Ammon.
Nëse varianti Alpha, i zbuluar tashmë në Britaninë e Madhe, mbetet aktualisht mbizotërues në rajon, ndërkohë që modelet e agjencisë parashikojnë se varianti Delta, i zbuluar fillimisht në Indi, përbën 70% të infeksioneve të reja në BE deri në fillim të gushtit dhe 90% deri në fund të gushtit, theksoi qendra në një shënim.
Për t’u mbrojtur nga shfaqja e variantit, i cili është 40 deri 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha sipas agjencisë shëndetësore, ECDC bën thirrje për përshpejtimin e vaksinimeve.
Në laborator ose në jetën reale, studimet konvergojnë në një pikë, marrja e një doze të vetme të vaksinës siguron vetëm mbrojtje të kufizuar kundër variantit Delta.
Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për shmangien e shtrimeve në spital për shkak të variantit Delta, doza e parë e Pfizer/BioNTech tashmë ofron mbrojtje shumë të lartë (94%).
“Deri më sot, rreth 30% e grupmoshës mbi 80 dhe rreth 40% e atyre mbi 60 vjeç në Bashkimin Europian nuk janë vaksinuar ende plotësisht”, sipas ECDC, e cila bashkon 27 vendet e Bashkimit Europian si dhe Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajni, tre vende të Zonës Ekonomike Europiane (EEE).
“Në këtë pikë, bëhet thelbësore që doza e dytë e vaksinës të administrohet brenda intervalit minimal të lejuar pas dozës së parë, me qëllim që të përshpejtohet ritmi me të cilin personat vulnerabël të mbrohen”, theksoi Andrea Ammon./ /ec/























