TEHERAN, 21 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti i sapozgjedhur iranian, Ebrahim Raisi ka refuzuar rreptësisht takimin me presidentin e SHBA Joe Biden.
Gjatë konferencës së parë për shtyp që nga fitorja e tij në zgjedhje, ai tha se nuk mund ta imagjinonte takimin me Biden, pasi ai injoroi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 duke aplikuar “sanksione çnjerëzore” kundër popullatës iraniane.
“Biden duhet së pari të heqë sanksionet për t’i bërë SHBA të besueshme përsëri në Iran”, theksoi Raisi.
60-vjeçari fitoi zgjedhjet presidenciale të së premtes me 60% të votave si kandidati kryesor i vijës së ashpër.
Pasi kandidatët më konkurrues u eliminuan nga organi zgjedhor, Raisi u paraqit praktikisht pa asnjë opozitë në zgjedhje.
Pjesëmarrja ishte në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave nën 50%.
Raisi, një klerik konservator, i cili është afër liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut, do të betohet në gusht. /os/























