PARIS, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Varianti Delta i koronavirusit, përgjegjës për një rritje të kontaminimeve në Britaninë e Madhe vazhdon të jetë shumë me pakicë në Francë, por në rritje në të dhënat e monitorimit, theksoi sot Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik.
“Gjatë një hetimi të shpejtë të sekuencave, kryer më 25 maj, ky variant i zbuluar fillimisht në Indi u gjet në 1% të mostrave, kundrejt 0,2% në hetimin e mëparshëm, më 11 maj”, theksoi Shëndeti Publik francez.
Agjencia qeveritare theksoi se po ndiqte këtë përhapje në rritje të variantit Delta me vëmendjen më të madhe, duke pasur parasysh transmetueshmërinë e tij të shtuar (…), një rritje të mundshme të ashpërsisë së infeksionit dhe të dhënave paraprake në favor të një efikasiteti vaksinal në rënie të lehtë, kryesisht gjatë një skeme vaksinimi të paplotë./ /ec/























