Kredia e re për sektorin e ndërtimit u rrit me 38 % në 4-mujorin e parë 2021

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kredia e re për sektorin e ndërtimit u rrit me 38 % në katër muajt e parë të këtij viti, duke shënuar nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se huadhënia për këtë sektor arriti vlerën 8.2 miliardë lekë, për periudhën janar-prill 2021.

Sipas BSH-së, ndërtimi zë 20.7 % të totalit të kredisë së re, nga 13.1 % për të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Sipas ekspertëve, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, e nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin e kaluar vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë pothuajse 81 miliardë lekë. Ndërsa rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3 %. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.