Vaksinimi masiv antikovid/ 42,781 vaksinime deri tani për arsimtarët, mbi 25 mijë me dy doza

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në të gjithë Shqipërinë vijon vaksinimi antikovid i mësuesve dhe pedagogëve, ku deri tani janë kryer mbi 42 mijë vaksinime.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se “më shumë mbrojtje për mësuesit dhe pedagogët, me vaksinimin masiv të atyre që përçojnë dije dhe vlera të pazëvendësueshme për brezat e rinj, për të garantuar qëndrueshmëri në vitin e ardhshëm akademik. 42,781 vaksinime janë kryer deri tani për arsimtarët. Mbi 25 mijë
i kanë kryer të dy dozat e vaksinës”.
Në videon e publikuar nga Manastirliu, një mësues shprehet se “herën e parë që bëmë dozën ishte kur erdha në fakultet. Na lajmëruan nëpërmjet e-mail për të bërë dozën e parë dhe tani jemi lajmëruar për dozën e dytë. Sapo e bëra dozën e dytë dhe tani po presim gjysmë ore për siguri”.
Një tjetër mësues shprehet se “bëra dozën e dytë të vaksinës, ndihem i qetë”.
“Ndihem shumë mirë, jam shumë në rregull që bëra dozën e dytë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë. Ne jemi ndjerë komode si herën e parë, edhe sot. Ndihem më e sigurtë. Jam e kënaqur që arrita ta bëj vaksinën”, shprehen disa mësuese.
Që prej datës 13 mars 2021 nisi vaksinimi antikovid i mësuesve dhe pedagogëve, fillimisht në Tiranë e mandej në të gjithë vendin.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.