Ballina Aktualitet

Harxhi: Gjithçka ndodhi dje, nuk do ta ndalojë misionin për të reformuar dhe ringritur PD-në

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Kandidatja për drejtimin e Partisë Demokratike, Edith Harxhi  falënderoi sot demokratët për mbështetjen gjatë procesit zgjedhor, ndërsa theksoi se, “gjithçka ndodhi dje nuk do pengojë dhe aq më pak, ta ndalojë misionin tonë të përbashkët për të reformuar dhe ringritur PD-në”.

Në një reagim Harxhi theksoi se, “ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe të ndalim korrupsionin në çdo nivel të jetës. Unë nuk i lë kauzat në mes”.

“Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua por edhe ata që nuk votuan për mua, pasi demokracia gjithmonë duhet të shprehet me votë. Falënderoj me mirënjohje të gjithë vëzhguesit e mi gjatë procesit zgjedhor, kontribuesit dhe miqtë e mi që punuan këto tre javë, si dhe Grupin për PD-në që ishin me mua në këtë betejë. Falënderoj edhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias për interesin e tyre dhe punën e palodhur. Ju shpreh gjithë mirënjohjen time për kohën dhe vëmendjen që më keni kushtuar. Gjatë këtyre dy javëve pata nderin dhe kënaqësinë t’ju takoja, të bisedonim dhe të bashkëndanim shqetësimet tona për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen partia jonë dhe Shqipëria”, – tha Harxhi.

Më tej Harxhi theksoi se “natyrisht koha ishte mjaft e kufizuar dhe e pamjaftueshme. Por ky është vetëm fillimi. Sepse, siç ju kam premtuar, unë do të vazhdoj të bashkëbisedoj me ju në çdo cep të vendit për të ringritur të djathtën dhe shpresën. Ne do gjejmë zgjidhjet më të mira për t’i rikthyer Partisë Demokratike vlerat, dinjitetin, forcën dhe rëndësinë e humbur, për ta ribërë atë përsëri një parti qeverisëse dhe të djathtën shqiptare konkurruese dhe të fortë. Lidhur me atë që ndodhi dje, gjatë procesit zgjedhor, së shpejti do të them mendimet e mija, mbështetur mbi fakte”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria ushqimore/ 184 inspektime, asgjësohen mbi 17 kg produkte ushqimore
Artikulli tjetërMV – Asnjë i vdekur nga Covid-19 për herë të parë pas 10 muajve