FSHF mbledh Asamblenë e Përgjithshme 2021

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së 2021 u mblodh sot përmes videokonferencës në platformën online Microsoft-Teams.

Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj.

Kjo asamble u përshëndet edhe nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe zv.presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson.

Presidenti i FIFA-s, Infantino, duke iu drejtuar anëtarëve të Asamblesë së FSHF-së vlerësoi punën e vazhdueshme të Federatës në të gjitha drejtimet si edhe theksoi implementimin e standardeve të reja dhe moderne që do të fuqizojnë futbollin.

Ndërsa, zv.presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson në fjalën e tij përshëndetëse për asamblenë tha se Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar arritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, duke përmendur projektet e përbashkëta për rindërtimin e disa stadiumeve në Shqipëri. Nilsson vlerësoi edhe solidarizimin e FSHF-së me anëtarët e saj gjatë pandemisë.

Një fjalë të shkurtër mbajti edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili vlerësoi progresin e bërë nga FSHF, rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar dhe vizionin e presidentit Duka në drejtimin e këtij institucioni.

Më tej, presidenti Duka sipas rendit të ditës ftoi përfaqësuesin e Komisionit të Verifikimit, Mikel Furxhi për të raportuar mbi thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Kjo asamble ka një rendësi të veçantë, pasi për herë të parë bëhet aplikimi i rregullave të reja statutore lidhur me anëtarësinë direkte dhe atë indirekte.

Në bazë të Statutit të FSHF Komisioni i Verifikimit ka bërë konstatimin e anëtarëve të drejtpërdrejtë të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në asamble me vendimin Nr. 1 datë 18.03.2021. Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble nga 55 delegatë janë prezentë 52 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur në Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë, vëren se thirrja e asamblesë së përgjithshme është kryer në përputhje me statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.

Mbledhja vijoi me fjalën përshëndetëse të presidenti Duka, i cili renditi të gjitha aktivititetet e organizuara nga FSHF gjatë këtij viti, duke u ndalur në disa nga zhvillimet kyçe dhe iniciativat e ndërmarra në këtë periudhë, me fokus futbollin e femrave dhe atë të fëmijëve, që janë e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm tonin.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së theksoi se solidariteti është ndër vlerat fondamentale të futbollit, dhe ne e kemi shprehur në mënyrën më të natyrshme kurdo që nevoja ka qenë, ndaj kujtdo.

“Kemi qëndruar pranë çdo shqiptari të prekur nga tërmeti famëkeq i nëntorit 2019 dhe duke nisur nga çdo anëtar i administratës së FSHF-së, ekipi ynë kombëtar, lojtarë e staf teknik dhe federata simotra kane kontribuar për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e katër banesave të rrënuara nga ky tërmet. Jemi të lumtur që i kemi rikthyer në një strehë të sigurt këto familje, dhe do vijojmë t’i përgjigjemi kauzave sa herë ndihma do jetë e nevojshme”,  tha presidenti Duka.

Sipas Rendit të ditës vazhdoi me raportin e aktivitetit te FSHF për vitin 2020, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, paraqiti raportin financiar për vitin 2020, që përfshin pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe bilancin për vitin 2020. Ky raport u hodh në votim dhe u miratua nga anëtarët e Asamblesë. Në votim u kaluan edhe raporti i kompanisë audituese të pavarur “Grant Thorton” si edhe buxheti për vitin 2021, që u miratuan me konsensus.

Në pjesën e fundit u diskutua për zgjedhjen e anëtarëve te Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes se Konflikteve. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Enkelejd Alibeaj duke marrë fjalën tha se në përputhje me parashikimet e Nenit 69 të Statutit të FSHF, Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve përbëhet nga kryetari, dy nënkryetarë dhe dymbëdhjetë anëtarë të tjerë. Pesë anëtarë propozohen nga KE, pesë nga përfaqësuesit e klubeve dhe pesë nga përfaqësuesit e lojtarëve dhe trajnerëve.

Aktualisht DHKZK ka vetëm 10 anëtare prej të cilëve, për shkak të ezaurimit të dy mandateve 4-vjeçare, 6 nga anëtarët aktual nuk mund të rikandidojnë më për një mandat të tretë. Bazuar në propozimet e paraqitura kandidatët e propozuar u votuan me 51 vota nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

Në mbyllje të punimeve, presidenti Duka shprehu besimin se “kjo do të jetë Asambleja e fundit dixhitale dhe se shumë shpejt do të mblidhemi ne prani te njeri tjetrit. Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe i deklaroj punimet e kësaj asambleje të mbyllura”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.