TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Treguesi i besimit në sektorin shërbimeve (TBSH) shënoi rritje me 5,6% në muajin maj të këtij viti, njoftoi Banka e Shqipërisë në raportin e vrojtimin të besimit të biznesit dhe konsumatorit në ekonomi.
Sipas BSH-së, kjo dinamikë e rivendosi treguesin mbi mesataren afatgjatë referuar edhe pritshmërinë tejet pozitive që shënon sektori i turizmit gjatë këtij fillim sezoni veror 2021.
Në treguesin e besimit ndikuan vlerësimet pozitive të bizneseve, lidhur me ecurinë e biznesit dhe të kërkesës.
Gjithashtu, bizneset janë optimist e lidhur me rritjen e kërkesës në të ardhmen.
Një ecuri në kahun rritës shfaqën edhe balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.
Bizneset në këtë sektor rezulton të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë më të lartë se një muaj më parë dhe pritshmëritë janë në trend rritës progresiv të qëndrueshëm.























